About Albania

Shqipëria shtrihet në Evropën Juglindore, në Perëndim të Gadishullit Ballkanik, në koordinatat gjeografike: 39 16′ gjatësi dhe 42 39′ gjerësi. Shqipëria ka një sipërfaqe prej 28.748 km².

Gjatësia e vijës kufitare të Republikës së Shqipërisë është 1094 km; nga të cilat 657 km janë vijë kufitare tokësore, 316 km vijë bregdetare, 48 km vijë ndarëse e lumenjve dhe 73 km e liqeneve.

Republika e Shqipërisë kufizohet në veri nga Mali i Zi, në veri-lindje nga Kosova, në lindje me Maqedoninë, kurse në jug dhe jug-lindje ajo kufizohet me Greqinë.

Në perëndim, Shqipëria laget nga deti Adriatik dhe deti Jon.

Lartësia mesatare është 708m mbi nivelin e detit, pra dy herë më e madhe se ajo e Evropës.

Shqipëria përfshihet në zonën subtropikale me lagështirë të hemisferës veriore dhe në zonën me klimë mesdhetare.

Kromi, hekur-nikeli, bakri, qymyrguri, nafta dhe gazi janë disa nga mineralet nëntokësore më të rëndësishme që gjenden në Shqipëri.

Klima

Në zonat bregdetare ka një klimë mesdhetare mesatare me dimër të butë dhe të lagësht, verë të nxehtë dhe të thatë.

Në zonat malore mbizotëron klima mesatare kontinentale, dimër i ftohtë dhe i ashpër, verë e lagësht.

Relievi

Fushor (në Shqipërinë Perëndimore), Pllaja (në Shqipërinë Lindore),

Malor (në Shqipërinë Veriore dhe Qëndrore);
Maja më e lartë: Mali i Korabit – 2,753 m
Vija Bregdetare – 362 km

Popullsia

http://www.instat.gov.al/media/322938/pop_1_janar_2016.pdf (Janar 2016)

95% Shqiptare, 3% Greke dhe 2% te tjerë

Kryeqyteti

Tirana (nga viti 1920)

Gjuha zyrtare

Gjuha Shqipe është një gjuhë indo-europiane dhe përfaqëson një degë të veçantë në familjen e gjuhëve indo-evropiane.

Gjeografi grek, Ptholemeous, ka dëshmuar ekzistencën e shqiptarëve dhe të gjuhës shqipe që në shekullin e dytë të erës sonë.

Emri “Shqipëri” zëvendësoi emrin e vjetër “Arbëri” (ose Arbani) në fund të shekullit XVII, për shkak të kushteve të reja historike të krijuara në këtë periudhë. Ky emër kishte për qëllim t’i jepte rendësi lidhjes midis emrit të vendit dhe gjuhës, e cila në atë kohë quhej “Shqip”.

Dokumenti i parë i shkruar i gjuhës bashkëkohore shqipe i përket vitit 1462. Vepra e parë letrare “Meshari” (Gjon Buzuku) u botua më 1555, dhe që nga ajo kohë gjuha shqipe është zhvilluar në dy dialekte kryesore, veçanërisht gjatë periudhës së Rilindjes Kombëtare Shqiptare:

“Gegërisht”, gjuha e folur në Veri të Shqipërisë, dhe “Toskërisht”, gjuha e folur në Jug të Shqipërisë.

Alfabeti i gjuhës letrare shqipe ka 36 shkronja dhe përdoret alfabeti latin i aprovuar nga Kongresi Kombëtar i Manastirit më 1908.

Gjuha shqipe (e folur dhe e shkruar) përdoret gjithashtu dhe në disa pjesë të populluara nga shqiptarë si Kosovë, Mali i Zi, Serbi dhe Maqedoni.

Sistemi Politik
Republikë Parlamentare

Parlamenti shqiptar është parlament me një dhomë dhe 140 deputetë, të cilët zgjidhen një herë në katër vjet me zgjedhje të përgjithshme.

Presidenti i Republikës

  1. Z. Bujar Nishani, i zgjedhur nga Kuvendi më 24 korrik 2012 për një periudhë 5-vjeçare.

Kryetari i Këshillit të Ministrave

  1. Z. Edi Rama

Qeveria

Kushtetuta
Kushtetuta e re e Republikës së Shqipërisë është aprovuar me referendum popullor më 28 nëntor 1998.

Festa Kombëtare
28 nëntor (Dita e Flamurit)

Flamuri
Flamuri Kombëtar i Republikës së Shqipërisë paraqitet me një shqiponjë të zezë me dy krerë dhe me krahë të hapura, e vendosur në qendër të një sfondi të kuq.

Emblema
Emblema e Republikës së Shqipërisë paraqitet me një shqiponjë të zezë, të vendosur në një mburojë të kuqe të tipit “variaz”. Mburoja e kuqe rrethohet nga një shirit i zi. Në pjesën e sipërme, me të kuqe është shkruar Republika e Shqipërisë.

Pasuritë Natyrore
Pasuri nëntokësore (Naftë, gaz natyror, krom, qymyrguri, hekur nikel, xeherore, mermer); Burime të konsiderueshme hidrike; Zona të konsiderueshme me pyje dhe kullota (rreth 38% e territorit të vendit). Burime të pashfrytëzuara në fushat e “Turizmit Blu”, “Turizmit Të Gjelbër” dhe “Turizmit Të Bardhë”.

Ngjarje të rëndësishme historike
Territori i Shqipërisë është banuar që në lashtësi. Gjurmë të jetës janë gjetur në Xare, si dhe në Shpellën e Shën Marinës në Sarandë që nga koha e Paleolitit të mesëm dhe të vonë (100 000 – 10 000 vjet më parë).

Shqiptarët janë pasardhës të drejtpërdrejtë të Ilirëve. Fiset ilire shtriheshin në pjesën perëndimore të Ballkanit, deri në lumenjtë Sava dhe Danub në Veri, Morava dhe Vardar në Lindje (që është dhe vija kufitare me Thrakën), dhe vargmalet e Pindit në Jug dhe Juglindje (në kufi me Grekët dhe Maqedonasit).

Zhvillimi i shpejtë ekonomik, veçanërisht ai i metalurgjisë së bronzit dhe hekurit (në shekujt XI-V para erës sonë) krijoi bazat e kulturës së përbashkët shpirtërore dhe materiale të fiseve ilire. Në fund të shekullit V p.e.s., ilirët u futën në periudhën e skllavopronarisë, dhe themeluan përgjatë bregdetit qytete shumë të njohura në atë kohë, të cilat ekzistojnë dhe sot, si Durrahium (Durrësi), Apolonia, Butroti (Butrinti), Scodra (Shkodra), Lissus (Lezha), etj. Pushtimi Roman (në vitin 168 p.e.s.) pati pasoja të rënda për ilirët. Megjithatë ata e përballuan me sukses politikën asimiluese të romakëve, kryesisht si rrjedhojë e standardeve të larta të zhvillimit dhe identitetit të kristalizuar etnik.

Pas thyerjes së romakëve në vitin 395 të erës sonë, Iliria mbeti nën sundimin e Perandorisë Bizantine. Në periudhën pasuese, Iliria u pushtua nga fise të ndryshme barbare, si Gotët, Avarët etj.

Në shekujt IV – VI, sllavët pushtuan një pjesë te Ilirisë Veriore dhe Lindore, dhe Maqedonia pushtoi pjesë të cilat më vonë u asimiluan.
Fundi i mijëvjeçarit të parë shënon kristalizimin e Kombit Shqiptar. Më vonë, formacionet politike shqiptare të shekullit XIV mbuluan territoret nga Tivari dhe Prizreni deri në Kostur dhe Vlorë. Ndërkohë, në zona të pjesës jugore ruhej ende emri historik i Epirit, i cili në vitet pasardhëse shërbeu si sinonim për Arbërinë (shumë shpesh, Heroi Kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeu (1405-1468) quhej “Princi i Epirit”).
Pushtimi Otoman (XIV) vendosi sistemin feudal ushtarak në Arbëri (Shqipëri), por kryengritjet e njëpasnjëshme të princërve shqiptarë përgatitën rezistencën e madhërishme të popullit shqiptar nën udhëheqjen e Heroit Kombëtar Gjergj Kastrioti, i njohur me emrin Skënderbe. Gjergj Kastrioti Skënderbeu arriti të krijonte një shtet të centralizuar (Arbëria) dhe flamuri i tij u bë flamuri kombëtar i Shqipërisë.

Shekulli XVIII shënon lulëzimin e dy “Pashallëqeve” të organizuara dhe shumë të fuqishme: Pashallëku i Bushatllinjve (me qendrën e tij në Shkodër dhe i qeverisur nga Karamahmut Pashë Bushatlliu); dhe Pashallëku i Janinës (me qendrën e tij në Janinë dhe i qeverisur nga Ali Pashë Tepelena). Lufta për pavarësi dhe identitet kombëtar arriti kulmin e saj me Lëvizjen e Rilindjes Kombëtare, e cila filloi më 1830.
Me 1878, kjo lëvizje u organizua më mirë pas Lidhjes së Prizrenit, e cila shërbeu si udhëheqja e parë ushtarake dhe politike e kryengritjeve shqiptare. Për fat të keq, në të njëjtin vit Kongresi i Berlinit vendosi ndarjen e territoreve shqiptare, nga e cila përfituan shtetet fqinje, Mali i zi, Serbia dhe Greqia.
Megjithatë, lëvizja shqiptare për liri u kurorëzua me Shpalljen e Pavarësisë, më 28 nëntor 1912.
Gjatë viteve të Luftës së Parë Botërore, Shqipëria u shndërrua në një fushë beteje për fuqitë ndërluftuese, dhe u pushtua nga Italia, Serbia, Mali i Zi, Greqia, Franca dhe Austro-Hungaria.
Më 1920, Kongresi i Lushnjes (një qytet që ndodhet 90 km në jug të Tiranës), shpalli Tiranën si kryeqytet të Shqipërisë me konsensusin e përfaqësuesve nga e gjithë Shqipëria.
Më 21 janar 1925, Asambleja Kushtetuese e shpalli Shqipërinë Republike Parlamentare dhe Ahmet Zogu u zgjodh President i Shqipërisë. Por ai pati shumë pushtet, dhe Republika funksiononte me tepër si Republikë Presidenciale.
Më 1 shtator 1928, Shqipëria u shpall Mbretëri Demokratike Parlamentare dhe Ahmet Zogu u shpall Mbret i Shqipërisë, duke marrë titullin mbretëror “Zogu I”.
Më 7 prill 1939, Italia fashiste pushtoi Shqipërinë, dhe si rrjedhim, e ashtuquajtura Asamble Kushtetuese shpalli fundin e Mbretërisë se Zogut dhe ia ofroi kurorën Viktor Emanuelit III. Shteti Shqiptar mbeti formalisht Mbretëri Kushtetuese nën sundimin e Dinastisë së Savojës.
Me 29 nëntor 1944, Shqipëria u çlirua nga pushtuesit nazi-fashiste. Që nga ajo kohë, në Shqipëri sundoi regjimi komunist i Enver Hoxhës, i cili ndikoi në izolimin e vendit.
Më 11 janar 1946, Asambleja Kushtetuese e shpalli Shqipërinë Republikë Popullore, si një nga format e diktaturës së proletariatit, e cila zgjati pothuajse gjysmë shekulli, deri më 29 prill 1991, kur Parlamenti i parë pluralist shpalli Republikën Parlamentare të Shqipërisë.
Për më shumë informacion rreth Shqipërisë mund të klikoni linkun e mëposhtëm: http://www.akt.gov.al/al/