HISTORIKU I KRIJIMIT
TË DREJTORISË SË SHËRBIMIT TË TRUPIT DIPLOMATIK
Krijimi i Institucionit të Ministrisë së Punëve të Jashtme (MPJ) të shtetit modern shqiptar daton me krijimin e Qeverisë së Përkohshme të Vlorës me 4 dhjetor 1912, pak ditë pas deklarimit të shkëputjes së Shqipërisë nga Perandoria Osmane. Kryeministri i Qeverisë së Përkohshme, Ismail Qemali, mbajti edhe postin e Ministrit të Punëve të Jashtme deri në qershor të vitit 1913.
Me kalimin e viteve, edhe struktura e MPJ-së pësoi shumë ndryshime në funksion të përmirësimit të veprimtarisë së saj, bëhet më e përqendruar politikisht dhe më e përshtatur ndaj politikave të brendshme dhe të jashtme. Për një koordinim më të mirë të punëve ndërmjet MPJ dhe përfaqësive dhe midis vetë përfaqësive, dita – ditës po merrte një rëndësi të veçantë nevoja për të hyrë në marrëdhënie më të drejtpërdrejta me trupin diplomatik të huaj të akredituar në Shqipëri dhe përfaqësitë shqiptare jashtë vendit.
Në Dhjetor 1954 prezantohet projekt – vendimi i parë për krijimin e zyrës së shërbimeve për të huajt dhe rregullorja e saj ku përfshihen dhe funksionet që ka patur dega për marrëdhënie
me jashtë në kryeministri.
Në bazë të vendimit të Këshillit të Ministrave të Republikës Popullore me nr.256, dt b19.07.1955 Ministria e Tregëtisë në bashkëpunim me Ministrinë e Jashtme caktoi llojet e shërbimeve që do të kryejë zyra e shërbimeve të trupit diplomatik, e cila do të jetë pjesë e strukturës së MPJ-së, me qëllim përmirësimin e furnizimit dhe shërbimit që do t`i ofrohej përfaqësive diplomatike të akredituara në Tiranë dhe për specialistët e huaj. Gjithashtu kjo zyrë do të përfshinte dhe një seri çështjesh për të cilat deri më sot, përfaqësive diplomatike, ua ofronin shërbimi i Protokollit të MPJ-së si dhe dikasteret e tjera shqiptare.
Zyra e shërbimeve do të mbante lidhje me Kryeministrinë, Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Ministrinë e Tregëtisë.
Këto dikastere për plotësimin e nevojave të ndryshme të trupit diplomatik do të paraqisnin kërkesat në zyrën e sipërcituar.
Ministria e financave në bashkëpunim me Ministrinë e Jashtme përcaktuan taksë komisioni 15 % për shërbime të ndryshme për trupin diplomatik dhe specialistët e huaj dhe 30% për lëndë djegëse, të cilat kishtë të drejtë t`i merrte Zyra e shërbimit të trupit diplomatik. Ndërsa një pjesë e shërbimeve mund të bëhej me anën e privatëve, për të cilën do të vihej në dispozicion një shumë prej 50.000 lekë në formë mjete xhiroje.
Në datën 06.08.1955 Ministria e Punëve të Jashtme njofton përfaqësitë diplomatike të akredituara në Tiranë se është krijuar zyra e shërbimit të trupit diplomatik, me seli në rrugën “Kongresi i Përmetit ”nr.170 Tel.27-56, e cila do të fillojë funksionin e saj që nga data 15.08.1955. Gjithashtu u bën me dije funksionet dhe kompetencat që do të ushtrojë kjo zyrë.
Bashkëlidhur aprovohet organika dhe rregullorja mbi organizimin dhe kompetencat e kësaj zyre shërbimi.
Organika e zyrës së Shërbimeve për Trupin diplomatik dhe specialistëve të huaj përbëhej prej 5 punonjës.
-Drejtori
-N/drejtori
-Shefi i banesave
-Sekretar- llogaritar
-Korrier- shërbyes
Kjo zyrë shërbimi do të ushtronte këto funksione:
Sigurimin e ndërtesave për selitë e përfaqësuesve diplomatike për banim.
Sigurimin e furnizimit dhe shërbimin e rregullt të përfaqësive diplomatike në R.P. të Shqipërisë.
Mirëmbajtja e selive dhe ndërtesave për banim të përfaqësuesve diplomatike, pronë e shtetit shqipëtar duke ushtruar kontroll të paktën dy herë në vit dhe kujdesej për riparime, instalime
në bazë të kontratave të përfunduara.
Siguronte me qira banesa për stinën e verës në plazhin e Durrësit për personelin e përfaqësive.
Siguronte gjetjen e sallave për pritje, konferenca që organizoheshin nga përfaqësitë.
Interesohej për vënien në dispozicion, për nevojat e tyre personelit ose familjeve të tyre, shërbyes, pastrues, kuzhinierë.
Interesohej për lëshimin e lejeve të automjeteve, targave dhe patentave të shoferëve.
Siguronte biletat e udhëtimeve për jashtë shtetit personelit të përfaqësive.
Rregullonte sipas ligjeve në fuqi çështjet doganore të përfaqësive diplomatike kur ata vinin ose largoheshin nga R.P e Shqipërisë.
Pas ndryshimeve politike demokratike që ndodhën në Shqipëri në vitin 1992 dhe frymëmarrjes së re që mori politika e jashtme shqiptare, Zyra e Shërbimit të Trupit Diplomatik paraqitet si Drejtoria e Shërbimit të Trupit Diplomatik.
Tashmë DSHTD bazuar në VKM –në nr. 840, datë 17.12.2004, “Për veprimtarinë e Drejtorisë së Shërbimit të Trupit Diplomatik”, ndryshuar me VKM-në nr.631, datë 15.09.2006, “Për disa shtesa dhe ndryshime në vendimin nr. 840, datë 17.12.2004, të Këshillit të Ministrave, “Për veprimtarinë e Drejtorisë së Shërbimit të Trupit Diplomatik”, funksionon dhe ka si objekt:
1. Drejtoria e Shërbimit të Trupit Diplomatik (D.SH.T.D) është person juridik, publik, në varësi të Ministrisë së Punëve të Jashtme, që ushtron veprimtarinë në mbështetje të ligjit nr.7582, datë 13.7.1992 “Për ndërmarrjen shtetërore”.
2. Objekti i veprimtarisë së DSHTD-së është:
a) Administrimi dhe mirëmbajtja e pasurive, të luajtshme e të paluajtshme, pronë shtetërore, të cilat janë në përdorim për trajtimin e trupit diplomatik të huaj, të akredituar në Republikën e Shqipërisë;
b) Administrimi dhe mirëmbajtja e pasurive, të luajtshme e të paluajtshme, pronë e shtetit shqiptar në shtete të tjera, të cilat shërbejnë për ushtrimin e veprimtarisë së përfaqësive diplomatike të Republikës së Shqipërisë.